Projekti

Trashëgimia në Lente: Fotografia si kujtim

Ky projekt është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe është realizuar me sukses nga OJQ CET Prizren.

Ky projekt synon të angazhojë të rinjtë dhe nxënësit në ruajtjen, dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore përmes fotografisë – si një mjet bashkëkohor dhe kreativ për të komunikuar me të kaluarën. Duke përdorur fotografinë si formë shprehjeje dhe dokumentimi, projekti i fton të rinjtë të eksplorojnë rrënjët kulturore të komuniteteve të tyre dhe të ndërtojnë ura mes brezave, përmes rrëfimeve të vizualizuara dhe ndarjes së kujtimeve.

Kulla e Isë Boletinit, monument i trashëgimisë kulturore në Boletin, Zveçan.

Kulla e Isë Boletinit është pjesë e Kompleksit Memorial të Isë Boletinit, një monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore në fshatin Boletin, komuna e Zveçan. Kompleksi lidhet ngushtë me jetën dhe veprimtarinë e Isa Boletini, një nga figurat më të njohura të lëvizjes kombëtare shqiptare.

Kompleksi përbëhet nga disa ndërtesa tradicionale të tipit kullë, të ndërtuara me gurë dhe materiale vendore, që shërbenin si banesë familjare dhe si qendër e organizimit të rezistencës shqiptare në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX. Një nga pjesët më të rëndësishme të kompleksit është Oda e Burrave, e ruajtur në formën e saj tradicionale.